Home Lajme Një falenderim për heroinat anonime të Kosovës

Një falenderim për heroinat anonime të Kosovës

164
0
SHARE

Nganjëherë dhe sidomos në kushte të pazakonshme, ne e ndjejmë një nevojë të brendshme që të falenderojmë. Të falenderojmë dikë për mirësi, dashamirësi, besim, dashuri, ndihmë, por edhe të falenderojmë për një gotë ujë, për një copë bukë, për një batanije, për një fjalë të butë…

Sot, përvjetori i heroit Agim Ramadani më shtyri ta falenderoj – edhe një herë – një loke, një gjyshe, një nanë, një motër, një bijë, një zonjë…anonime.

Jo, pse asaj nuk dua t’ia përmend emrin, por pse, thjesht nuk ia di emrin kësaj zonje.

Por, kjo – ma merr mendja – se e bën ngjarjen më ilustruese, më përgjithësuese dhe, pse jo, më madhështore.

Në këtë falenderim, po flas për fshatin Junik. Edhe për shkak se ky është ndër vendet më të bukura të Kosovës, por sidomos për shkak se kam një lidhje speciale me këtë mrekulli, jo vetëm gjeografike.

Pse, speciale…do të thoshit?

Unë kam një raport të veçantë me këtë fshat të bekuar, për shkak se Juniku është vendi ku – gjatë dy ditëve sa i kam kaluar aty në korrikun e vitit 1998 – kam përjetuar disa nga përvojat që s’mund t’i jetosh çdo ditë. Po i ndaj me ju disa nga to.

Në Junik, e kam parë (live) heroin Agim Ramadani. Nuk e njihja më parë dhe e kam peng në jetë pse në oborrin e shtëpisë ku qëndruam një pjesë të ditës dhe ku ai po pushonte pakëz, nuk iu afrova e t’ia shtrëngoj dorën. Nga modestia dhe nga një ndjenjë që më lindi aty-për-aty dhe më shponte veshët duke më thënë ‘le rehat luftëtarin të merr frymë e të pushojë pakëz’, më mbeti ky peng i përjetshëm. Por, buzëqeshjen e heroit nuk e harroj kurrë. Tash, kur i shoh pamjet e tij, çudia e Zotit, në kokën time vjen imazhi i asaj fytyre të buzëqeshur në oborrin e shtëpisë junikase.

Por, të shkojmë më tej!

Në Junik së pari (dhe së fundi – deri më tash) kam fjetur duke ecur. Vetëm kur këmbët, që i ngrihja zhag preknin guralecët pak më të mëdhenj në rrugën që çon në bjeshkë, afër kufirit, atëherë zgjohesha, aq i lodhur (dhe i uritur) pata qenë. Pastaj, ecja disa metra dhe prapë….zgjohesha.

Në Junik, së pari në jetë pata ndjerë jetën dhe vdekjen duke ecur së bashku, të përqafuara, të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Dhe së fundi, por më e rëndësishmja, në Junik kam ndjerë njërin nga gëzimet e mia më të mëdha në jetë: atë momentin, kur pasi kishim trokitur dhe kërkuar me drojë, nga dera e një shtëpie tradicionale junikase, ka dalë një grua dhe na ka dhënë nga një copë bukë (sa gjysma e shuplakës) me nga një copë djathë (sa dy kokrra sheqeri).

Kush nuk e di sa pak banorë (e sa shumë luftëtarë ose, si çifti im, që përpiqeshin të bëheshin të tillë) kishte asokohe Juniku dhe kush s’e ka provuar urinë, sidomos urinë në lëvizje, në marshim, ndoshta nuk e kupton mirë çfarë po them.

Megjithatë, sikur thuhet ‘s’ka dashuri ma të sinqertë, se sa dashuria ndaj ushqimit”.

Prandaj, në këtë kohë pandemie, unë dua ta falenderoj këtë gjyshe, këtë nanë, këtë motër, këtë zonjë, këtë bijë të Kosovës që doli nga ajo portë e madhe e drunjtë dhe me çehre të mirë e të ngrohtë dhe me paraqitjen e një heroine antike, na ofroi ushqim. Dhe, nuk dihej se a ishte ushqimi i fundit në atë shtëpi. Nuk e di.

Ti gjyshe, nanë, zonjë, motër, bijë e Kosovës, nuk e di kush je, nuk e di a jeton ende a jo, por dëshiroj të të shpreh mirënjohjen time!

Ty heroinë anonime, të faleminderit!

Kosova ka mbijetuar, jo vetëm për shkak se kishte trima e heronj, por edhe – dhe sidomos – për shkak se kishte trimëresha dhe heroina.

Sidomos, heroina të heshtura, pa emër, anonime!

Heroina që nuk i japin Kosovës hua, për t’ia kërkuar borxhin pastaj me kamatë!

Prandaj, edhe një herë: ty, heroinë e panjohur e Kosovës, të faleminderit nga thellësia e zemrës!

Leave a Reply

  Subscribe  
Notify of